Kodi i Procedurës Penale parashikon mundësinë e shtyrjes së ekzekutimit të dënimit kur një grua e dënuar ka një fëmijë nën një vjeç. Por Greta Gjoci, nënë e një foshnje vetëm 3-muajshe, është dërguar këtë të mërkurë në burgun e Pojskës për të vuajtur dënimin me 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa kërkesa e saj për shtyrjen e ekzekutimit pret të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme.
Gjoci e ka marrë foshnjën me vete në burg dhe të dyja janë sistemuar në seksionin e posaçëm të institucionit ku ndodhet edhe çerdhja.
Ajo është një nga gjashtë gratë e dënuara në dosjen e grupit të drejtuar nga Bruno Çobo, i akuzuar për një skemë mashtrimi kompjuterik përmes Call Center-ave. Pesë prej grave i janë drejtuar GJKKO-së për të kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të dënimeve për shkak të fëmijëve të mitur dhe rrethanave familjare. Për të paktën katër prej tyre, ndërkohë, vendimet janë ekzekutuar dhe ato ndodhen në burgun e Pojskës në Korçë.
Rasti i Greta Gjocit është më i ndjeshmi për shkak të moshës së foshnjës. Mbrojtja e saj e depozitoi kërkesën më 5 tetor, ditën kur Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimet me rreth 110 vite burg në total për 16 të pandehurit e dosjes, përfshirë drejtuesin e grupit, Bruno Çobo.
Avokati Ndue Marku kërkon shtyrjen e ekzekutimit duke u mbështetur në nenin 476 të Kodit të Procedurës Penale. Ky nen parashikon se, kur e dënuara është shtatzënë ose ka një fëmijë nën një vjeç, gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e vendimit deri në momentin kur fëmija mbush një vjeç.
