Akademikja Justina Shiroka Pula është zgjedhur në vitin 2025 kryetare e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Ajo është gruaja e parë që drejton këtë institucion, i themeluar në vitin 1975, ndërsa në këtë detyrë pasoi akademikun Mehmet Kraja.
Shiroka Pula shkollimin fillor dhe të mesëm e përfundoi në Prishtinë, ndërsa në vitin 1976 diplomoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.
Studimet pasuniversitare në fushën e teorisë dhe politikës së zhvillimit ekonomik i përfundoi në vitin 1984 në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Zagreb.
Ajo ka doktoruar në Universitetin e Prishtinës me tezën “Investimet demografike dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës”.
Karrierën profesionale e nisi në Bankën Popullore të Kosovës, ndërsa në vitin 1978 filloi punën si ligjëruese në Fakultetin Ekonomik.
Sipas biografisë së publikuar nga ASHAK, Shiroka Pula ka ndjekur edhe studime pasdoktorale në Universitetin e Lincit në Austri dhe në Universitetin e Arizonës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo gjithashtu ka kryer trajnime të ndryshme profesionale në universitete të tjera jashtë vendit.
Pas luftës, ajo është angazhuar në shoqërinë civile, ku ka punuar në fushën e fuqizimit të grave, barazisë gjinore, zhvillimit të bizneseve dhe ndërmarrësisë.
Në politikë, Shiroka Pula ka shërbyer si ministre e Energjisë dhe Minierave nga viti 2008 deri më 2011. Më pas, nga viti 2011 deri më 2014, ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës.
Shiroka Pula është propozuar nga kryeministri Albin Kurti për presidente, teksa përgjegjësinë që ta bindin që ta pranojë këtë post ia ka lënë të parit të PDK-së, Bedri Hamzës.
