Kryeministri Albin Kurti tha se kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk do bashkëpunim dhe takim me të.
Kurti tha se në takimin e mbrëmshëm kishin lënë mundësinë që të takoheshin sërish sot.
“Nga takimi i mbrëmshëm, e lamë mundësinë hapur që të takohemi edhe sot, por meqë kryetari i PDK-së, Hamza s’po do të takohet më me mua, unë po i drejtohem në këtë konferencë”, tha ai.
Kurti tha se pa takim nuk mund të ketë marrëveshje.
“Tash Bedri Hamza na ka kushtëzuar në mënyrë ultimative dhe refuzon të takohemi”, tha ai.
Një takim i djeshëm në Kuvend mes Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza përfundoi sërish pa sukses
Jashtë Qeverisë po qëndrojnë edhe sot protestues, të cilët kërkojnë që të votohet përfundimisht projektligji që parasheh ndryshime në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pasi ai u miratua dje paradite në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit.
Mbrëmë protesta eskaloi pas ndërhyrjes së policisë për t’i mundësuar kryeministrit që të largohej nga Kuvendi, pas paralajmërimeve të protestuesve se s’do t’i linin zyrtarët të dilnin nga aty pa miratimin përfundimtar të projektligjit.
PDK-ja kërkon që projektligji të procedohet sa më shpejt për votim përfundimtar në Kuvend.
Kurti dhe Hamza janë takuar edhe në fundjavë dhe sipas burimeve të Gazetës Express, kryetari i LVV-së ka kërkuar që fillimisht projektligji për Specialen të miratohet vetëm në lexim të parë, më pas Kuvendi të kalojë në seancën për zgjedhjen e Presidentit dhe vetëm pas kësaj të procedohet leximi i dytë i projektligjit. Hamza, ndërkaq, ka kërkuar që projektligji të votohet përfundimisht dhe më pas të votohet për Presidentin.
Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi sot është dita e fundit e afatit për zgjedhjen e Presidentit dhe dështimi për ta përmbyllur procesin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja, që do të ishin të katërtat në dy vjet.
