Kryetari i PDK’së, Bedri Hamza, ka folur edhe për takimin që ka zhvilluar me kreun e LDK’së, Lumir Abdixhiku.
I pyetur nga gazetarët për përmbajtjen e këtij takimi, Hamza tha se i ka kërkuar mbështetjen për Ligjin për Specialen në Kuvend, por ai tha se kjo parti nuk mori pjesë në votim kur ligji u votua në lexim të parë.
“Kemi folur për nevojën e këtij ligji, për nevojën që të ketë mbikëqyrje, të jetë transparent, të ketë llogaridhënie, të respektohen të drejtat e njeriut, të respektohen konventat ndërkombëtare të kësaj fushe dhe ia kam kërkuar përkrahjen. Dje e kemi parë që LDK nuk ka marrë pjesë në votim për këtë ligj”.
Por Hamza tha se UÇK ka në të gjitha partitë dhe se Ligji për Specialen flet për vlerat e të gjitha partive.
“Megjithatë unë e di sepse i njohim, kemi shumë miq, njerëz në LDK, dhe po e ritheksoj populli i Kosovës është organizuar për liri dhe pavarësi. Lufta e popullit të Kosovës është zhvilluar përmes UÇK’së dhe pjesëtarë të saj ka në të gjitha subjektet politike, edhe në PDK, në Aleancë edhe në VV edhe në LDK. Ky ligj flet për vlera që janë pjesë e të gjitha partive politike”.
