Kosovë Lajme Politikë

Kancelari Merz letër Kurtit pas rizgjedhjes: Përparimi në dialogun me Serbinë mbetet esencial

Kancelari gjerman Friedrich Merz, në telegramin e urimit drejtuar kryeministrit Albin Kurti për rizgjedhjen e tij, ka vënë theks të veçantë te vazhdimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në mesazhin e publikuar më 1 tetor nga Qeveria Federale e Gjermanisë, Merz thotë se, krahas zgjidhjes së çështjeve të hapura institucionale dhe avancimit të reformave, për Kosovën mbetet esencial përparimi konkret në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Esencial mbetet gjithashtu arritja e përparimit substancial në dialogun për normalizimin me Serbinë, të udhëhequr nga BE-ja”, thuhet në telegramin e kancelarit gjerman.

Merz, njëkohësisht, e ka lidhur rizgjedhjen e Kurtit me mundësinë për tejkalimin e periudhës së pasigurisë politike në Kosovë. Ai ka thënë se konfirmimi i zgjedhjes së kryeministrit krijon mundësi për ndërtimin e urave përtej vijave partiake, zgjidhjen e çështjeve të hapura institucionale dhe avancimin e reformave.

Kancelari ka ritheksuar gjithashtu mbështetjen e Berlinit për Kosovën.

“Gjermania vazhdon të qëndrojë fuqishëm në krah të Kosovës. Ne jemi të lidhur me popullin e Kosovës nga një miqësi e veçantë”, ka shkruar Merz, duke i uruar Kurtit sukses në ushtrimin e mandatit.

Mesazhi për dialogun Kosovë–Serbi përputhet me qëndrimin që Berlini ka shprehur edhe më herët. Në qershor, Merz deklaroi në samitin BE–Ballkani Perëndimor se Gjermania dëshiron përshpejtimin e perspektivës evropiane të vendeve të rajonit, ndërsa Qeveria gjermane e ka konsideruar vazhdimin e dialogut të normalizimit si pjesë të rëndësishme të rrugës evropiane të Kosovës dhe Serbisë.