Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar ofertën e fundit të Iranit për t’i dhënë fund luftës dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që SHBA-ja t’i intensifikojë sërish bombardimet ndaj Iranit pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.
Ndërkohë, Pentagoni po dërgon forca shtesë në Lindjen e Mesme, përfshirë grupin e tretë sulmues të aeroplanmbajtëses. Në rajon pritet të dërgohen edhe 9000 deri në 10000 trupa amerikane.
Në një intervistë për revistën “Time”, të publikuar të enjten, Trump tha se nuk do të pranojë më propozime nga Teherani që nuk do t’i kishte pranuar as një vit më parë. I pyetur nëse pas zgjedhjeve të 3 nëntorit mund të intensifikohen sërish sulmet ndaj Iranit, ai u përgjigj se një mundësi e tillë ekziston.
“Nuk mund t’ju them, sepse po më pyesni se ku do të bombardoni”, tha Trump kur gazetarët kërkuan detaje rreth sulmeve të mundshme.
Sipas zyrtarëve amerikanë, anijet, aeroplanët luftarakë, marinsat dhe marinarët që po dërgohen drejt Lindjes së Mesme pritet të mbërrijnë deri në fund të nëntorit. Trump u ka thënë kohët e fundit bashkëpunëtorëve se pret që bombardimet ndaj Iranit të vazhdojnë pikërisht gjatë atij muaji.
Pentagoni dërgon një aeroplanmbajtëse dhe mijëra trupa
Aeroplanmbajtësja amerikane “USS Theodore Roosevelt” u largua të dielën nga baza e saj në San Diego për një mision të planifikuar. Një ditë më vonë u nis edhe grupi amfib “USS Makin Island”, i përbërë nga tri anije me marinsa.
Në Lindjen e Mesme tashmë ndodhen aeroplanmbajtëset “USS George H.W. Bush” dhe “USS George Washington”, raporton wallstreetjournal.
Nëse “George Washington” qëndron në rajon edhe pas mbërritjes së “Roosevelt”, SHBA-ja do të ketë për herë të parë që nga prilli tri grupe sulmuese të aeroplanmbajtëseve në Lindjen e Mesme.
Në rajon ndodhen tashmë më shumë se 50 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa forcat e reja do ta rrisin këtë numër me 9,000 deri në 10000 trupa.
Vendosja e forcave shtesë vjen vetëm disa ditë pasi Trump refuzoi propozimin e fundit iranian për armëpushim. Prania e një aeroplanmbajtëseje të tretë do t’i jepte ushtrisë amerikane më shumë mundësi dhe fuqi zjarri në rast se Trump vendos të vazhdojë sulmet ndaj Iranit.
