Kosovë Lajme

Nata e 15-të e protestës, Haziri kritikon Kurtin: Me komoditet të frikshëm tha: Këtë javë i përgjigjem iniciativës

Mijëra qytetarë janë mbledhur në natën e 15-të të protestës “Jo në emrin tim”, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Gjatë protestës, qytetarët janë dëgjuar duke brohoritur “marre” ndaj Qeverisë, e cila, ndonëse ka kaluar një javë që nga dërgimi i iniciativës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ende nuk ka kthyer përgjigje lidhur me të.

Njëri nga organizatorët e protestës, Çlirim Haziri, tha se “problemi te qeveria është mungesa e ndjeshmërisë”.

“Secili që vjen këtu po flet në emrin e vet, me ndërgjegjen e vet, dhe për histori që beson që duhet ta mbrojë. Por çështja me qeverinë nuk është se kush ka qenë në luftë e kush jo, është se si e ndjen dhe se si e trajton sot atë histori. Problemi është mungesa e ndjeshmërisë, kur të mungon ndjeshmëria për UÇK-në e sheh thjeshtë si një procedurë në zyrë, historinë si një faturë, dhe sakrificën si një dosje që pret në tavolinë. Prandaj e ke shumë të lehtë të bësh sehir, nuk e ndjen obligimin jetësor për të lëvizur çdo gur, sepse lirinë tonë e sheh si një dosje jo si një amanet”, tha ai.

Haziri deklaroi se komoditeti me të cilin kryeministri Albin Kurti u përgjigj të mërkurën rreth ligjit është, sipas tij, “i frikshëm”.

“Kryeministri me komoditet që të fut frikën na tha, s’kam pritur drejtësi nga Specialja, e këtë javë i përgjigjem iniciativës për ligjin. Këtë javë. Sot, u bënë 15 ditë prej kur me atë aktgjykim u dënua historia e UÇK-së, dhe që nga iniciativa për ligjin e UÇK-së rri në sirtarin e kryeministrit”, tha ai.

Tutje, Haziri u shpreh:

“15 ditë nga aktgjykimi, 7 ditë në sirtar, dhe përgjigjja është këtë javë. Ora po shkon turr e vrap drejt 6 tetorit, kulla po lëkundet, e kryeministri flet sikur po cakton datën për ndonjë mbledhje të radhës, flet me qetësinë sikur i ka të gjitha ditët e botës përpara”.

Ndërkohë, gjatë së mërkurës, Kurti është pyetur se pse nisma nuk po procedohet më shpejt. Ai është përgjigjur se ajo tashmë ka hyrë në rrugën e shqyrtimit institucional.

“Iniciativa e PDK-së, është çështje e Kuvendit, dhe i është drejtuar zyrës ligjore të Zyrës së Kryeministrisë”, tha Kurti.

“Kjo është procedura e rregullt”, tha Kurti.

Ai tha se, pas përfundimit të këtyre vlerësimeve, përgjigjja do t’i dërgohet menjëherë Kuvendit, ku procedura do të vazhdojë.

“Ne nuk kemi nevojë të bëjmë shkelje. Të gjitha këto përmbyllen këtë javë dhe i drejtohemi Kuvendit”, tha ai.