Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar veprime të reja ndaj Qeverisë së Kosovës nëse nuk miratohen ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, drejtuesit e organizatave të dala nga lufta pritet të mblidhen gjatë fundjavës për të diskutuar hapat e ardhshëm.
“Po, është e vërtetë. Nëse nuk miratohet ligji për plotësim-ndryshim të Ligjit për Gjykatën Speciale, ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ne do të formojmë hapa tjerë, ku në ditët e vikendit do të ulemi në bisedë kryesia dhe Këshilli, bashkërisht me dy shoqatat tjera, shoqata e mbajtësve dhe dëshmorëve”, ka deklaruar Gucati.
Një nga veprimet që është diskutuar, sipas tij, është vendosja e tendave para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
“Do t’ia vështirësojmë punën Qeverisë. Ne do të tentojmë, nëse nuk reflekton. Një nga shembujt, do të qëndrojmë me tenda para Qeverisë. Tani do ta shohim ditëve në vijim, kjo është diskutuar”, tha Gucati.
Kreu i OVL-UÇK-së ka folur edhe për protestën e paralajmëruar për 1 tetor në Prishtinë.
Ai tha se pret që tubimi të ketë pjesëmarrje të gjerë, ndërsa u bëri thirrje veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të luftës që t’i bashkohen protestës.
