Oda Ekonomike Shqiptare ka reaguar fuqishëm lidhur me të ardhmen e ishullit të Sazanit, duke kundërshtuar çdo mundësi që një investim i huaj të shndërrohet në mekanizëm për humbjen e pronësisë apo kontrollit mbi një territor strategjik të Shqipërisë.
Në reagimin e saj, Oda thekson se investimet e huaja janë të mirëseardhura dhe të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të punës dhe krijimin e vlerës, por nënvizon se interesat ekonomike nuk duhet të vihen mbi mbrojtjen e pasurive strategjike të vendit.
“Sazani ishte, është dhe do të jetë tokë shqiptare”, thuhet në reagimin e Odës Ekonomike Shqiptare.
Sipas Odës, Sazani nuk përfaqëson vetëm një pronë, por është pjesë e territorit dhe trashëgimisë së Shqipërisë, ndaj çdo vendim që prek statusin, pronësinë apo përdorimin e tij duhet të merret me transparencë të plotë dhe në interes të Republikës së Shqipërisë.
“Asnjë shtet apo subjekt i huaj nuk mund të pretendojë marrjen e tokës strategjike shqiptare nën pretekstin e investimeve strategjike”, thekson Oda.
Në reagim përcillet edhe një mesazh i qartë për politikën dhe institucionet shqiptare: zhvillimi ekonomik dhe investimet e huaja janë të nevojshme, por ato nuk duhet të vijnë në kurriz të kontrollit dhe interesit kombëtar mbi territoret strategjike.
“Investime po. Zhvillim po. Por pasuria strategjike shqiptare duhet të mbrohet”, përfundon Oda Ekonomike Shqiptare, duke përsëritur qëndrimin se Sazani duhet të mbetet në funksion të interesit të Shqipërisë dhe të së ardhmes së saj.
