Kosovë Kronikë Policore Lajme

Apeli shqyrton ankesat në rastin e ish-zyrtares së OSBE-së të dënuar për spiunazh

Në Gjykatën e Apelit po shqyrtohen ankesat e Prokurorisë dhe të mbrojtjes lidhur me dënimin e ish-zyrtares së OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e dënuar për spiunazh.

Gjykata Themelore i pati listuar rastet kur Gjukanoviq, si punonjëse e OSBE-së në Kosovë ka raportuar për shërbimin sekret serb, BIA. Në aktgjykimin e plotë të Gjykatës Themelore, me të cilin Gjukanoviq është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Spiunazh”, e të cilin e ka siguruar KOHA, tregohet se ajo ka paraqitur edhe “shqetësimet” që OSBE-ja në Mitrovicë i ka paraqitur për kryetarin e zgjedhur të Mitrovicës së Veriut, Dragisha Milloviq. Ato ia kishte përcjellë agjentit të Shërbimit Sekret Serb, Aleksandër Vllajiq, po ashtu i dënuar në Kosovë për spiunazh.

Sipas konstatimit të Gjykatës, Gjukanoviq e kishte njoftuar Vllajiqin edhe për Adriana Hoxhiqin, për të cilën kishte thënë se ishte e pakënaqur me mungesën e pushtetit.

Informatat që e pandehura Gjukanoviq i ka mbledhur “në hollësi” dhe “me përkushtim”, Gjykata ka konstatuar se ia ka përcjellë në kohë reale të pandehurit Vllajiq.

Sipas dokumentit, e ajo i kishte dërguar Vllajiqit informata edhe për policinë, por edhe për organizatat islamike në disa komuna.

Sipas Themelores, nga provat e administruara në shqyrtim gjyqësor përtej çdo dyshimi vërtetohet se e akuzuara kishte ndërmarrë veprimet në drejtim të kryerjes së veprës penale, ashtu që nga viti 2018 e deri me datë 26 qershor 2024, kur është arrestuar Vllajiq, e akuzuara duke qenë edhe në cilësinë e zyrtares vendore të Misionit të OSBE-së në Kosovë, pranë Zyrës Rajonale në Mitrovicë, më dashje ia ka dërguar informatat e ndryshme të dënuarit për spiunazh Vllajiq, dhe ka vepruar sipas udhëzimeve të tij, me qëllim që këto informata të dërgohen te BIA.