Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka kritikuar ashpër punën e Gjykatës Speciale në Hagë, duke e krahasuar procesin gjyqësor me një ndeshje futbolli.
Përmes një postimi në Facebook, Behrami ka thënë se, sipas tij, Gjykata Speciale tash e gjashtë vjet “po luan me referë të blerë dhe me VAR të manipuluar”.
“Prandaj, deri më sot, Prokuroria ka fituar 45:0 ndaj Mbrojtjes”, ka shkruar Behrami.
Ai ka kritikuar edhe Ligjin për Dhomat e Specializuara, për të cilin ka pretenduar se u ka dhënë avantazh dhe mundësi për keqpërdorim, siç i ka cilësuar ai, “hileqarëve”.
“Prandaj, ndryshimet ligjore që kemi dërguar dje në Kuvend janë të domosdoshme për të krijuar mundësi të barabarta për palët. Nuk ka ligj në botë që është mbi Kushtetutën dhe konventat ndërkombëtare”, ka shkruar ai.
Behrami u ka bërë thirrje deputetëve që, siç ka thënë, të mbështesin ndryshimet ligjore me synim “rikthimin e ligjshmërisë” në Gjykatën Speciale.
“Ftoj të gjithë kolegët të bëhen pjesë të rikthimit të ligjshmërisë në këtë Gjykatë. Për hir të mbrojtjes së historisë”, ka shkruar deputeti i PDK-së.
