Lajme Shqipëri

Balla përsërit qëndrimin e Kuvendit shqiptar: Vendimi në Hagë është thellësisht i padrejtë!

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ka përsëritur qëndrimin e Kuvendit shqiptar për aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë një diskutimi, Balla tha se Kuvendi i Shqipërisë shpreh kundërshtimin ndaj vendimit, të cilin e cilësoi si të padrejtë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

“Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me atë vendim, që konsideron thellësisht të padrejtë ndaj katër udhëheqësve të UÇK-së. Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet”, deklaroi Balla.

Ai tha se, sipas qëndrimit të Kuvendit shqiptar, lufta e UÇK-së ishte e lidhur me çlirimin dhe lirinë e Kosovës.

“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës, përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet, të gjitha kombësitë që jetojnë në Kosovë”, u shpreh ai.

Balla tha gjithashtu se UÇK-ja, sipas tij, u krijua si reagim ndaj situatës së asaj kohe në Kosovë.

“Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit”, tha Balla.