Kosovë Lajme

Musliu: Haga mund të mbajë katër burra, por jo kujtesën e një populli

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar sërish pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në reagimin e saj, Musliu ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar lufta e Kosovës në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e kontekstit historik dhe të së vërtetës së plotë në vlerësimin e drejtësisë.

“A mund të quhet drejtësi një proces që e shkëput luftën nga historia që e solli atë? Unë besoj se jo.Drejtësia nuk mund të jetë vetëm një sallë gjyqi. Nuk mund të jetë vetëm një dosje. Nuk mund të jetë vetëm një interpretim i fakteve të zgjedhura. Drejtësia duhet të ketë edhe kujtesë. Duhet të ketë kontekst. Duhet të ketë guximin për ta parë të vërtetën të plotë, edhe kur ajo është e pakëndshme”, ka shkruar ajo në Facebook.

Musliu ka thënë se drejtësia nuk duhet të kufizohet vetëm në një proces gjyqësor, por duhet të përfshijë edhe kujtesën dhe kontekstin historik.

“Kosova nuk e nisi luftën për të pushtuar dikë. Kosova luftoi sepse liria ishte bërë domosdoshmëri njerëzore. Prandaj, ajo që sot e quaj masakër të drejtësisë ndërkombëtare, nuk është vetëm dënimi i katër njerëzve. Është ndjenja se në një proces të tillë mund të jetë cenuar vetë besimi se drejtësia ndërkombëtare është mbi politikën, mbi interesat dhe mbi versionet e fuqishme të historisë. Historia nuk mbyllet me një aktgjykim. Një gjykatë mund të shkruajë një vendim. Nuk mund ta shkruajë përgjithmonë historinë. Muret e Hagës mund t’i mbajnë sot katër burra, por nuk mund ta burgosin kujtesën e një populli”.