Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, mund ta mbajë këtë funksion deri më 4 tetor, ndërsa pas skadimit të periudhës gjashtëmujore, sipas tij, ajo nuk do të ketë më të drejtë ta ushtrojë detyrën e presidentes.
Duke iu referuar nenit 90, paragrafit 3 të Kushtetutës së Kosovës, Bugaqku tha për Ekonomia Online se kjo dispozitë përcakton qartë se posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nuk mund të ushtrohet për më shumë se gjashtë muaj.
“Unë kam një qëndrim kështu, personal edhe profesional sa i përket kësaj çështjeje, të bazuar në nenin 90 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të paragrafit 3 atje. Është shumë e qartë fjalia kur thuhet që posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit nuk mund të ushtrohet më gjatë sesa një periudhë prej gjashtë muajsh”, tha ai.
Sipas tij, nga formulimi i kësaj dispozite kushtetuese rezulton se periudha maksimale për ushtrimin e detyrës së presidentit nga kryetari i Kuvendit, kur posti mbetet vakant ose ka mungesë të përkohshme të presidentit, është gjashtë muaj.
“Pra mënyra se qysh është shkruar në kuptimin tekstual norma kushtetuese në fjalë, të lë me nënkuptu dy elemente. Pra, i sqaron dy aspekte. E para është që ka një ndalesë, ky post nuk mund të ushtrohet, thotë, më gjatë sesa një periudhë prej gjashtë muajsh. Pra, ka një ndalesë që nuk mund të ushtrohet më gjatë sesa gjashtë muaj, dhe kjo nënkupton që periudha maksimale kur mund të mbahet funksioni i Presidentit të shtetit nga Kryetari i Kuvendit si ushtrues i detyrës në situatat kur ky post mbetet vakant, ose ka mungesë të përkohshme të Presidentit, është periudha jo më e gjatë se gjashtë muaj”, u shpreh ai.
Bugaqku vlerësoi se deri më 4 tetor Haxhiu mund ta ushtrojë funksionin e presidentes, ndërsa pas kësaj date mund të vazhdojë të jetë kryetare e Kuvendit, por jo edhe ushtruese e detyrës së presidentes.
“Prandaj, për vlerësimin tim deri më datën 4 tetor Kryetari i Kuvendit, apo dhe Kryetarja e Kuvendit, duke e llogaritur afatin prej ditës kur posti i Presidentit ka mbetur vakant, mund ta mbajë funksionin si ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Pas kalimit të këtij afati, unë besoj që nuk e ka të drejtën në fjalë; pra, ajo mund të qëndrojë si Kryetare e Kuvendit, por jo edhe ta ketë epitetin apo rolin e ushtruesit të detyrës së Presidentit të shtetit”, potencoi Bugaqku.
Ndërkaq, ai tha se Kushtetuta nuk përcakton qartë se çfarë ndodh nëse ky afat shkelet, por vendimmarrja e saj në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes pas skadimit të afatit mund të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk është e qartësuar. Kushtetuta nuk jep detaje të tjera në rast se nuk respektohet ky afat, në rast se shkelet ky afat. Por nëse eventualisht qëndron edhe më tutje në atë pozicion Kryetarja e Kuvendit, atëherë vendimmarrja e saj është e kontestueshme në çdo aspekt, në të pajtueshmëria apo jo me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Qoftë dekrete, çdo vendim, çdo sjellje e saj, e cila konsiderohet si ushtruese e detyrës së Presidentit, mund të nxisë dhe është material i mjaftueshëm për ta kontestuar në Gjykatë Kushtetuese”, tha ai.
