Kosovë Lajme Politikë

Zhbërja e Speciales në Kuvend, a do t’i japin votën deputetët e komuniteteve?

Të mërkurën, në media është raportuar se pas dënimit me 81 vjet burgim të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë, tashmë kanë nisur lëvizje konkrete për zhbërjen e kësaj Gjykate.

Madje, u tha se ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për mbajtjen e një seance parlamentare me një pikë të vetme të rendit të ditës: zhbërjen e kësaj Gjykate.

Siç raportohej, deputetë të partive opozitare kanë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke nisur mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e seancës në një afat të përshpejtuar.

Shfuqizimi i Speciales, Emilja Rexhepi: Do të veproj në interes të shtetit dhe qytetarëve

Deputetja boshnjake, Emilja Rexhepi ka deklaruar për “Front Online” se aktualisht në Kuvendin e Kosovës nuk ka një nismë zyrtare për çështjen e nënshkrimeve për shpërbërjen e Gjykatës Speciale.

Rexhepi ka thënë se në rast se një nismë e tillë paraqitet, qëndrimin e saj do ta përcaktojë duke u bazuar në përmbajtjen dhe pasojat që mund të ketë.

“Për momentin, në Kuvend nuk ka një nismë të tillë zyrtare. Nëse paraqitet, qëndrimin tim do ta bazoj në përmbajtjen dhe pasojat e saj, duke pasur parasysh Kushtetutën, sundimin e ligjit dhe detyrimet ndërkombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Rexhepi.

Ajo ka theksuar se në çdo rast do të veprojë duke pasur parasysh interesin e shtetit dhe të qytetarëve.

“Në çdo rast, do të veproj në interes të shtetit tonë dhe të të gjithë qytetarëve të tij”, ka thënë Rexhepi.

Deputeti Asllani flet për zhbërjen e Speciales: Duhet të ndiqen procedurat Kushtetuese

Përfaqësuesi i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, dhe deputeti Artan Asllani u shpreh se deri tani nuk është kontaktuar për të dhënë nënshkrimin e nevojshëm për thirrjen e një seance për zhbërjen e Gjykatës Speciale, ashtu siç është raportuar në disa media.

Asllani e ka shprehur gatishmërinë për prezencën në këtë seancë.

“Deri në këto momente, askush nuk më ka kontaktuar për të dhënë nënshkrimin për thirrjen e seancës. Nëse kërkohet një nënshkrim i tillë, sigurisht që do ta jap për thirrjen e seancës”, ka deklaruar Asllani.

Ai tha se edhe një ditë më parë, partia e tij kishte reaguar publikisht për të shprehur mospajtimin me vendimin e Gjykatës Speciale.

“Edhe dje, si parti kemi reaguar publikisht për të shprehur mospajtimin tonë me vendimin e Gjykatës Speciale”, ka thënë Asllani.

Ndërsa sa i përket mundësisë së zhbërjes së Speciales, Asllani ka thënë se kjo çështje duhet të trajtohet në përputhje me procedurat kushtetuese.

“Sa i përket mundësisë së zhbërjes së saj, kjo është çështje që duhet të trajtohet në përputhje me procedurat kushtetuese. Për ndryshimin e Kushtetutës kërkohen dy të tretat e të gjithë deputetëve, përfshirë dy të tretat e deputetëve të komunitetit Serb”, ka deklaruar ai.