Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit të djeshëm të Gjykatës Speciale në Hagë, duke shprehur solidaritet me familjet e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me familjet e dëshmorëve e martirëve.
Vendimin dënues, Lladrovci e ka cilësuar si një goditje të rëndë për Kosovën dhe ka thënë se qytetarët nuk duhet të lejojnë që pakënaqësia të shndërrohet në dhunë apo dëmtim të pronës dhe institucioneve.
“Vendimi i djeshëm, nuk guxon të nxis te qytetarët, në veçanti rininë tonë të shkëlqyer për hakmarrje, urrejtje, dëme ndaj shtetit dhe shtetësisë, dëme ndaj pronës private e publike, as dëme ndaj institucioneve të ndërtuara me mund dhe vullnetin e jashtëzakonshëm të shtetit”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka shprehur mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke deklaruar se vendimi nuk duhet të ndikojë në besimin për pafajësinë e tyre.
Lladrovci ka theksuar gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Republika e Kosovës është ideali ynë që na bashkon. Miqtë tanë që na ndihmuan kur qenia jonë biologjike ishte e rrezikuar, na ndihmuan ta bëjmë shtetin e lirë e demokratik, me vlera euro-atlantike, ne nuk guxojmë t’i shohim si kundërshtar”, ka deklaruar ai.
Kreu i Drenasit ka falënderuar qytetarët e komunës për, siç ka thënë, reagimin dinjitoz pas vendimit, duke bërë thirrje që pakënaqësia ndaj vendimit të shprehet pa dhunë dhe pa dëmtim të pronës.
Ai ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe për vazhdimin e përpjekjeve institucionale dhe ligjore për të kundërshtuar atë që e konsideron padrejtësi.
“Padrejtësia nuk drejtohet në rrugë, me shkatërrim të pronës private apo publike, nuk drejtohet me mosrespektim të institucioneve që i ndërtuam. Vendimet e padrejta mund të korrigjohen, të dëshmojmë urtësi dhe gatishmëri për ta bërë këtë korrigjim jo vetëm me ekipet mbrojtëse të heronjve tanë të luftës dhe paqes, por edhe me përkushtimin institucional për të vërtetën tonë historike, luftën e drejtë të UÇK-së dhe pafajësinë e plotë për heronjtë tanë të luftës dhe paqes, për Hashimin, Kadriun, Jakupin dhe Rexhën”, ka shkruar Lladrovci.
“Fundja, nuk guxojmë të veprojmë ashtu siç e pret armiku!”, përfundon reagimi i Lladrovcit.
