Lajme

“Krerët e UÇK-së duhet të lirohen”, Labinot Azemi reagon ashpër pas vendimit në Hagë!

Labinot Azemi pas vendimit në Hagë: “Për mua UÇK-ja nuk është politikë, është pjesë e historisë së Kosovës”

Pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka reaguar edhe aktivisti Labinot Azemi.

Azemi e ka cilësuar ditën e sotme si të rëndë dhe të dhimbshme, duke thënë se vendimi është i vështirë për t’u pranuar nga shumë shqiptarë.

“Unë nuk jam politikan dhe ky reagim nuk ka lidhje me politikë. Jam gazetar, aktivist dhe shqiptar i Kosovës. Për këtë arsye e them hapur: nuk më duket e drejtë që njerëzit që dolën të luftojnë për çlirimin e këtij vendi sot të përfundojnë të dënuar në Hagë”, ka shkruar Azemi.

Ai ka rikujtuar edhe pasojat e luftës në Kosovë, duke përmendur vrasjet, masakrat, dëbimet, shtëpitë e djegura dhe dhunën e ushtruar ndaj civilëve shqiptarë.

“Ne nuk kemi harruar çka ka ndodhur në Kosovë. Kjo është historia e një populli që luftoi për të mbijetuar dhe për të qenë i lirë”, është shprehur ai.

Duke folur për UÇK-në, Azemi ka theksuar se për të ajo nuk është çështje politike, por pjesë e historisë së Kosovës dhe e rrugës drejt çlirimit.

“Për mua UÇK-ja nuk është politikë. Është pjesë e historisë së Kosovës dhe e çlirimit të saj. Krerët e UÇK-së duhet të lirohen. Dhe këtë e them pa parti, pa pushtet e pa asnjë interes tjetër”, ka deklaruar Azemi.

Në fund të reagimit të tij, aktivisti e ka përmbledhur qëndrimin me fjalët: “Shumë e rëndë. Është marre!”

Dhomat e Specializuara në Hagë sot dënuan Hashim Thaçin me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim. Aktgjykimi është i shkallës së parë.