Një mbledhje e jashtëzakonshme është mbajtur sot në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, një ditë para shpalljes së verdiktit final ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Siç raporton Gazeta Express takimi është mbajtur rreth orës 12:00.
Në këtë takim janë ftuar disa nga drejtorët e klinikave dhe njësive të QKUK-së.
Burimet e Express bëjnë të ditur se gjatë takimit është kërkuar mobilizim dhe organizim i brendshëm i institucioneve shëndetësore, në funksion të përgatitjeve për situata të mundshme që mund të paraqiten pas shpalljes së verdiktit.
Në kuadër të këtij organizimi, sipas burimeve, është diskutuar edhe për sigurimin dhe gatishmërinë e materialeve të nevojshme mjekësore, përfshirë fasha, gazra dhe pajisje të tjera të ndihmës së parë.
Verdikti final ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të shpallet nesër me fillim nga ora 10:00.
