Zhvillimet politike dhe sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor do të jenë sot në qendër të një seance dëgjimore në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të trajtohen edhe çështje që lidhen me Kosovën dhe komunitetet shqiptare në rajon.
Seanca do të nisë në orën 16:00 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe do të mbahet nga Nënkomiteti për Evropën i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, me temën “Politika e SHBA-së dhe sfidat e sigurisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”.
Para ligjvënësve amerikanë do të dëshmojë Daniel J. Lawton, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit në Byronë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit.
Organizata “Albanians for America” e ka cilësuar seancën si një mundësi të rëndësishme që çështjet që prekin shqiptarët dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor të diskutohen në nivelin e politikëbërjes amerikane, transmeton Klankosova.tv.
Sipas organizatës, Kongresi amerikan gjatë periudhës së fundit ka treguar vëmendje të shtuar ndaj zhvillimeve në rajon, përfshirë situatën në Kosovë dhe çështjet që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Seanca e nesërme përbën një tjetër mundësi të rëndësishme që zhvillimet që prekin shqiptarët dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor të marrin vëmendje në Kongresin amerikan”, thuhej në njoftimin e organizatës.
“Albanians for America” thekson se gjatë vitit të fundit ka punuar për forcimin e komunikimit me ligjvënësit amerikanë dhe për përfshirjen e çështjeve të Kosovës, të drejtave të shqiptarëve në rajon, sigurisë dhe integrimit euroatlantik në diskutimet mbi politikën e jashtme amerikane, transmeton Klankosova.tv
Në muajin maj, kongresmenët Keith Self dhe Suhas Subramanyam vizituan Kosovën dhe Luginën e Preshevës, ku zhvilluan takime me përfaqësues politikë dhe të komuniteteve lokale.
Në kuadër të angazhimit të tij për çështjet që lidhen me shqiptarët në Serbi, kongresmeni Keith Self ka prezantuar edhe “Projektligjin për vlerësimin e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”. Nisma synon që Qeveria amerikane të vlerësojë trajtimin e pakicave etnike në Serbi.
