Kosovë Lajme

Policia: Marshi për Liri në Prishtinë u zhvillua i qetë dhe pa incidente

Policia e Kosovës ka njoftuar se Marshi për Liri, i mbajtur sot në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ka përfunduar qetë dhe pa incidente.

Policia tha se, ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, kishte ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e marshit.

Sipas Policisë, organizimi ka kaluar në mënyrë të qetë dhe “pa ndonjë incident”.

“Policia e Kosovës falënderon organizatorët dhe mijëra qytetarë pjesëmarrës për qytetarinë, kulturën dhe sjelljen paqësore të treguar”, thuhet në njoftim.

Policia ka veçuar edhe respektimin e udhëzimeve të dhëna nga zyrtarët policorë gjatë marshit dhe qarkullimit në trafikun rrugor.

“Pjesëmarrja juaj, sjellja e përgjegjshme dhe respektimi i udhëzimeve policore kontribuan në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit paqësor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.