Pesë persona kanë humbur jetën dhe 40 të tjerë janë lënduar në një aksident të rëndë me një autobus turistik holandez në Engadin të kantonit Graubünden, në Zvicër.
Autobusi po udhëtonte nga Zernez drejt Suschit kur, në një zonë ku po zhvilloheshin punime, u përplas me një barrierë mbrojtëse, doli nga rruga dhe përfundoi i përmbysur.
Sipas Policisë Kantonale të Graubündenit, në autobus ndodheshin 45 persona të rritur. Pesë prej tyre humbën jetën, ndërsa 40 të tjerë u lënduan. Tre persona janë në gjendje të rëndë, shtatë kanë pësuar lëndime të shkallës së mesme dhe 30 janë lënduar lehtë.
Të gjithë të lënduarit u transportuan në spitale me ndihmën e shtatë helikopterëve të shpëtimit dhe 13 ekipeve të ambulancave. Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë të ditura.
Në vendngjarje u mobilizuan ekipe të shumta të shpëtimit, zjarrfikës dhe forca nga kantone të tjera, ndërsa u ofrua edhe kujdes psikologjik për personat e prekur.
Presidenti i Konfederatës Zvicerane, Guy Parmelin, tha se ishte “thellësisht i tronditur dhe i prekur” nga aksidenti, duke shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe solidaritet me të gjithë të prekurit.
Edhe organizata holandeze e udhëtimit që kishte organizuar udhëtimin shprehu tronditjen për ngjarjen dhe solidaritetin me viktimat dhe familjarët e tyre.
Policia e ka cilësuar rastin si vetaksident, ndërsa hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të aksidentit janë duke vazhduar.
