Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për herë të dytë brenda ditës.
Në sallën e Kuvendit ndodhen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se gjatë kohës nga ndërprerja e seancës së mëparshme deri në nisjen e kësaj seance, ka tentuar të kontaktojë me përfaqësuesit e PDK-së.
“Gjatë kësaj kohe, prej kohës kur i ndërpreva punimet e seancës e deri tani, kisha një përpjekje që të takohem me përfaqësuesit e PDK-së, por nuk ishte e mundur. Sipas diskutimit me ta, më thanë që qëndrimi i tyre është se nuk do të vijnë fare në seancën e Kuvendit dhe do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
PDK më herët kishte kërkuar që të votohej nënkryetarja e saj, Vlora Çitaku, por propozimi i saj nuk mori votat e nevojshme në seancën e thirrur sot në orën 11:00.
