Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se të premten në Kuvendin Komunal do të votohet për themelimin e një kompanie të re rajonale për menaxhimin e mbeturinave.
“Ne kemi vendosur që ta themelojmë kompaninë e re rajonale. Prandaj nesër në seancën e jashtëzakonshme të Asamblesë së Kryeqytetit e kemi mundësinë jetike që një herë e përgjithmonë ta zgjedhim çështjen e mbeturinave në kryeqytet. Prandaj iu bëj thirrje të gjithë asemblistëve, e sidomos atyre të VV-së që ta votojnë. Votojeni nesër”, u shpreh Rama.
Rama ka deklaruar gjithashtu se Prishtina ka humbur 74.1 milionë euro financim nga qeveria gjermane, duke ia atribuar këtë ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
“Prishtina, siç e keni parë, ka humbur 74.1 milionë euro financim nga qeveria gjermane, vetëm për një nënshkrim të Hekuran Muratit. Dmth, ndërmarrja ‘Pastrimi’ i ka humbur 74.1 milionë euro sepse Hekuran Murati nuk e ka nënshkru”, tha ai.
“Të ndodhur përball këtij absurditeti dhe gjendjes alarmante me mbeturina, ne kemi vendosur që ta krijojmë ndërmarrjen e re komunale të pastrimit, siç e kanë komunat tjera, si Fushë-Kosova e Obiliqi”, u shpreh Rama.
