Botë Lajme

Shembet ndërtesa në Nju Dehli, dhjetëra studentë dyshohet se kanë mbetur nën rrënoja! Shikoni pamjet

Një ndërtesë banimi në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, është shembur, ndërsa dhjetëra studentë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Dëshmitarët okularë i thanë mediave lokale se deri në 50 persona ndodheshin brenda ndërtesës pesëkatëshe në lagjen Satya Niketan, në jugperëndim të Delhit, kur ajo u shemb rreth orës 13:30 me orën lokale (08:00 GMT) të dielën.

Sipas televizionit NDTV, që citon policinë lokale, të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa dy të tjerë ndodhen në gjendje kritike. Deri tani raportohet se janë shpëtuar gjashtë persona.

Në bodrumin e ndërtesës, të njohur si ‘Hostel Daze’, e cila ndodhet pranë kampusit të Universitetit të Delhit, po kryheshin punime ndërtimi.

Mendohet se shumë prej studentëve që banonin aty ndodheshin në dhomat e tyre në momentin e shembjes, pasi të dielën nuk zhvilloheshin mësime.

Një deputet i asamblesë legjislative, i pranishëm në vendngjarje, tha se disa nga studentët e bllokuar kishin arritur të telefononin nga poshtë rrënojave.

Dëshmitarët i thanë mediave lokale se edhe një ndërtesë tjetër pranë konviktit është shembur.

Kryeministrja e Delhit, Rekha Gupta, deklaroi se një ndërtesë ngjitur është evakuuar “si masë paraprake”.

“Po bëhet çdo përpjekje e mundshme për të shpëtuar në mënyrë të sigurt personat e bllokuar,” tha ajo.

Policia e Delhit bëri të ditur se ndërtesa ishte ndërtuar vetëm 40 deri në 50 vjet më parë.

Pronari i një dyqani pranë vendit të ngjarjes i tha agjencisë së lajmeve ANI se objekti ishte ndërtuar mbi një kontratë qiraje 100-vjeçare dhe se mbajtësi i saj kishte ndërmarrë gërmime në bodrum për të rritur të ardhurat.

“Ata e përforcuan pjesën e sipërme të ndërtesës, por kolonat poshtë ishin të dobëta,” tha ai, duke shtuar se edhe punëtorët e ndërtimit janë zënë nën rrënoja.

Unioni Kombëtar i Studentëve të Indisë (NSUI) i bëri thirrje qeverisë të hetojë shkaqet e shembjes dhe të mbajë përgjegjës çdo person që rezulton fajtor.

“Neglizhenca ndaj sigurisë së studentëve dhe qytetarëve nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë,” deklaroi organizata.

Ndërkohë, sipas Times of India, policia është në kërkim të pronarit të ndërtesës, shkruan BBC.