Kosovë Lajme

Moti për javën e ardhshme!

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë periudhës 7–11 shtator 2026, në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i qëndrueshëm dhe i ngrohtë, me intervale të gjata me diell.

Temperaturat do të jenë mbi vlerat tipike për fillimin e shtatorit. Të hënën temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 31 gradë Celsius, ndërsa të martën deri në 32 gradë.

Moti i ngrohtë do të vazhdojë edhe të mërkurën, kur temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 33 gradë Celsius, me vlerat më të larta që parashikohen në Prizren dhe Gjakovë. Ndryshim i përkohshëm i motit pritet të enjten, më 10 shtator, kur do të ketë vranësira dhe reshje shiu, lokalisht të shoqëruara me shkarkime rrufesh. Në këtë ditë priten edhe erëra mesatare dhe lokalisht të forta.

Sipas IHMK-së, pas reshjeve të së enjtes, e premtja do të sjellë mot më të freskët, me diell dhe vranësira të ndryshueshme, ndërsa temperaturat maksimale do të lëvizin nga 25 deri në 30 gradë. Instituti ka paralajmëruar gjithashtu se indeksi UV do të jetë i lartë, veçanërisht gjatë mesditës në ditët me diell, duke rekomanduar shmangien e ekspozimit të zgjatur në diell nga ora 11:00 deri në 16:00, përdorimin e mbrojtjes nga rrezatimi UV dhe hidratimin e mjaftueshëm.