Kosovë Lajme

Pas protestës, komunat i dërgojnë shtatë kërkesat në Qeveri

Pas protestës së sotme, Asociacioni i Komunave të Kosovës do t’ia përcjellë Qeverisë kërkesat e komunave.

Kryetari i Asociacionit, Sazan Ibrahimi, tha se komunat nuk po kërkojnë privilegje, por zbatimin e të drejtave të tyre ligjore, transmeton Periskopi.

Para qytetarëve, ai renditi shtatë kërkesat kryesore të komunave ndaj Qeverisë:

-Kompensimi i obligimeve financiare nga kontratat kolektive

Kërkohet që Qeveria t’i kompensojë obligimet financiare që rrjedhin nga kontratat kolektive dhe që aktualisht po rëndojnë buxhetet komunale përmes vendimeve gjyqësore dhe procedurave përmbarimore.

-Mbulimi i kompensimit retroaktiv për përvojën e punës

Kërkohet që kompensimi retroaktiv për normën e përvojës së punës prej 0.5%, nga marsi i vitit 2023, si dhe për vitet 2024 dhe 2025, të mbulohet nga buxheti qendror dhe jo nga buxhetet komunale.

-Rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim

Kërkohet rishikimi i kritereve të grantit specifik për arsim, pasi mbi 3,100 mësimdhënës kanë mbetur pa financim, duke krijuar një barrë të konsiderueshme shtesë për komunat, e cila vetëm gjatë këtij viti tejkalon 24 milionë euro.

-Ndalimi i centralizimit dhe respektimi i kompetencave komunale

Kërkohet ndërprerja e praktikave të centralizimit dhe e cenimit të kompetencave të komunave, përfshirë çështjet që lidhen me pronën komunale, procedurat e rekrutimit dhe ushtrimin e kompetencave të tjera vetanake.

-Përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare

Kërkohet përgjegjësi institucionale për humbjen e mbështetjes financiare nga Bashkimi Evropian, si dhe për zvogëlimin e mjeteve të Grantit të Performancës Komunale.

-Kompensimi i dëmeve nga fatkeqësitë natyrore

Kërkohet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore që nga viti 2022.

-Krijimi i grantit të katërt për investime kapitale

Kërkohet krijimi i një granti të katërt për investime kapitale, me kritere të qarta, të përcaktuara me ligj dhe transparente për të gjitha komunat.