Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka njoftuar se ka zhvilluar sot inspektime në terren lidhur me shitjen e cigareve, përfshirë ato elektrike, në afërsi të institucioneve arsimore.
Sipas njoftimit, gjatë aksionit janë realizuar gjithsej 20 inspektime në Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Podujevë, Ferizaj dhe Pejë.
“Si rezultat i inspektimeve, 3 lëndë janë dërguar në procedurë, është shqiptuar 1 gjobë, ndërsa në një rast është bërë edhe sekuestrimi i cigareve, cigareve elektronike dhe produkteve të tjera të ndërlidhura.”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, inspektimet kanë për qëllim zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe parandalimin e shitjes së produkteve të duhanit dhe cigareve elektronike në afërsi të shkollave, veçanërisht për mbrojtjen e të miturve.
“IQMT do të vazhdojë me inspektimet në terren në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të respektimit të ligjit, mbrojtjes së konsumatorëve dhe krijimit të një tregu të sigurt dhe të rregullt.”, thuhet tutje në njoftim.
