Kosova mbajti zgjedhjet e treta brenda rreth një viti e gjysmë. Këtë herë, arsyeja ishte moszgjedhja e Presidentit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e përmendi zgjedhjen e Presidentit pasi tha se duhet ta konstituojnë Kuvendin dhe ta formojnë qeverinë e re të vendit.
“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja: konstituimin e legjislaturës së 11 të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes”, tha ai në një mbledhje të qeverisë.
Meqenëse moszgjedhja e Presidentit ishte arsye pse vendi mbajti zgjedhje të reja parlamentare më 7 qershor, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se nga këtu duhet të nisë puna pas konstituimit të Kuvendit.
“Menjëherë duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Pra, Kuvendi Kosovës që konstituohet nuk mund të ketë asgjë tjetër në agjendë pos propozimet për Presidentin e Republikës”, i tha Hasani Gazetës Express javën e kaluar.
Në aktgjykimin e fundit kur Kushtetuesja vendosi të jepte 34 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit, përmendet edhe afati në kontekst të zgjedhjes së shefit të shtetit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.
Paragrafi 162 i atij aktgjykimi thotë se me t’u konstituuar Kuvendi, duhet të fillojë procedura për zgjedhjen e Presidentit.
“Në kontekstin specifik të rrethanave të një Kuvendi të shpërndarë dhe ende të pakonstituuar, Gjykata bazuar në interpretimin si më lart dhe qëllimin e normave kushtetuese, të përcaktuara përmes nënpikës 3 të paragrafit 1 të nenit 82 ndërlidhur me paragrafin 2 të nenit 86 të Kushtetutës, vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit”, thuhet në aktgjykim.
Gjykata Kushtetuese thotë në aktgjykimin e fundit se më herët nuk kishte specifikuar shprehimisht rrethanën se kur fillon dhe kur përfundon procedura e zgjedhjes së Presidentit të ri, në rrethanat kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional.
Hasani thotë se “asnjë praktikë e mëparshme më nuk ka fuqi dhe relevancë pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve planifikon që certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve ta bëjë deri më 6 korrik. Sipas Kushtetutës së vendit, seanca konstituive duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
