Kosovë Kronikë Policore Lajme

“Na e vranë djalin për herë të dytë”, shpërthen vëllai i 17-vjeçarit pas lirimit të të akuzuarve për Gllogjanin

Gjykata Themelore në Pejë, këtë të hënë, i shpalli të pafajshëm Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, ngjarje kjo që kishte ndodhur më 26 nëntor 2021.

Brikend Hamzaj, vëllai i 17-vjeçarit L. Hamzaj, i cili u vra në këtë rast, ka reaguar pas vendimit lirues ndaj tre të akuzuarve.

Në emisionin “Kosova Today”, Hamzaj deklaroi se familja e tij është tronditur dhe traumatizuar nga vendimi i Gjykatës së Pejës.

Përmes një bisede telefonike, ai tha se për familjen e tij, me vendimin e së hënës, vëllai i tyre “u vra për herë të dytë”.

“Me të thënë të drejtën, vendimi që është marrë të hënën, neve si familje na ka shqetësuar shumë, na ka traumatizuar, sepse nonstop kemi qenë nëpër gjykime dhe nuk e kemi pritur këtë. Kjo neve na ka befasuar. Mënyra se si është mbajtur të hënën [seanca], me hyrjen e gjyqtarëve, diku 2 minuta e 30 sekonda e ka dhënë verdiktin, domethënë pa asnjë sqarim”, tha Hamzaj.

Ai u shpreh i befasuar edhe me mënyrën se si është dhënë vendimi, duke theksuar se gjatë katër viteve të gjykimit janë paraqitur prova të shumta.

“E të gjitha provat që janë shfaqur gjatë këtij gjykimi për katër vjet, mënyra që ai e ka dhënë atë verdikt, dhe guximi i tyre për këtë lirimin e të akuzuarve, për neve janë këta, nuk ka tjetër, neve na ka befasuar shumë”, deklaroi ai.

Hamzaj tha se vendimi është jashtëzakonisht i rëndë për familjen e tij dhe se ata nuk e kishin pritur lirimin e tre të akuzuarve.

“Për neve është shumë e rëndë, djalin na e kanë vra për herë të dytë Gjykata e Pejës. Dhe jemi të shqetësuar shumë, sepse nuk e kemi prit që do të ketë lirim. Këta janë vrasësit e vëllait tim, nuk ka tjetër hiç”, tha ai në “Kosova Today”.

Ngjarja e rëndë në Gllogjan kishte ndodhur më 26 nëntor 2021, ku mbetën të vrarë tre persona.