Botë Lajme

Vance: Kanadaja do të përballej me pushtim pa mbrojtjen amerikane

Në një tjetër reagim retorik, ndërsa dy fqinjët përballen me një luftë të re tregtare, zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance tha të hënën se Kanadaja nuk ka arritur të investojë në ushtrinë e saj dhe do të pushtohej nga një vend tjetër pa mbrojtjen e ofruar nga Shtetet e Bashkuara.

“Kanadaja është një vend që ka investuar pak në ushtrinë e saj, e cila fjalë për fjalë do të pushtohej nga një vend i huaj po të mos ishte për ombrellën e mbrojtjes së ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, i tha Vance një audience në Brewer, Maine, një shtet verior në kufi me Kanadanë.

Vance kritikoi gjithashtu Kanadanë për tensionet e fundit tregtare me SHBA-në, duke akuzuar Otavën se ka bërë kërkesa të paarsyeshme gjatë negociatave.

“Ata erdhën me një mori kërkesash të paarsyeshme të minutës së fundit”, tha Vance. “Mendoj se duhet të arrijmë një marrëveshje, por mendoj se duhet t’i dërgojmë një mesazh të qartë kryeministrit të Kanadasë: ndaloni së përfituari nga populli i Maine-it. Ndalo së përfituari nga Amerika. Ka mbaruar. Ne presim drejtësi në politikën tonë tregtare.”

Komentet e tij vijnë ndërsa Presidenti Donald Trump ka ushtruar vazhdimisht presion ndaj Kanadasë dhe aleatëve të tjerë të SHBA-së që të rrisin shpenzimet e mbrojtjes, duke kërkuar kushte më të favorshme tregtare.

Trump ka vendosur tarifa për mallrat kanadeze dhe ka kritikuar vazhdimisht Otavën për praktikat tregtare, ndërsa kryeministri kanadez Mark Carney është përpjekur të negociojë me Uashingtonin për të lehtësuar tensionet midis dy fqinjëve.

Kanadaja është anëtare si e NATO-s ashtu edhe e NORAD-it, një organizatë e përbashkët amerikano-kanadeze përgjegjëse për monitorimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore dhe qasjeve detare të Amerikës së Veriut.
Ottawa është zotuar të rrisë shpenzimet e mbrojtjes ndërsa tensionet gjeopolitike rriten, përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë dhe konkurrencën strategjike në rritje në Arktik.

Komentet erdhën ndërsa tensionet tregtare midis Uashingtonit dhe Otavës u përshkallëzuan më tej. Tarifat e reja amerikane prej 50% për mallra kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë hynë në fuqi të shtunën, pasi bisedimet tregtare dështuan.

Të hënën, Trump kërcënoi me një tarifë shtesë prej 50% për automobilat, pjesët e makinave dhe çelikun kanadez duke filluar nga 1 janari 2027. Kanadaja është zotuar të hakmerret.