Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar lidhur me riparimin e pesë vagonëve në Serbi, duke thënë se kontrata për riparimin e tyre ishte fituar përmes tenderit publik nga një kompani vendore.
Ajo ka shpërndarë postimin e ndërmarrjes publike “Trainkos” lidhur me polemikat e fundit për riparimin e pesë vagonëve të saj në Zrenjanin të Serbisë.
Derisa nuk e ka mohuar që vagonët janë riparuar në Serbi.
Rizvanolli u shpreh se “operatori deklaron se vagonët nuk kane mundur të riparohen diku tjetër.”
Derisa shtoi se:
“Megjithatë, Trainkos do të realizojë një vlerësim të pavarur për të rishikuar nëse këto punime mund të realizohen edhe nga operatorë në shtete të tjera dhe, në rast që vlerësohet se kjo është e mundur, do të shqyrtohen opsionet për ta trajtuar brenda kornizës ligjore.“, ka shkruar Rizvanolli.
Ndryshe Trainkos, në postimin e tyre kanë thënë se riparimi i vagonëve, i përfunduar në dhjetor të vitit 2024, ishte bërë përmes një tenderi të hapur të publikuar më 15 shkurt 2024, në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik.
Tenderin, sipas ndërmarrjes, e kishte fituar kompania “Profitech SH.P.K.” me seli në Prishtinë, e cila kishte qenë operatori i vetëm që kishte aplikuar në këtë procedurë.
Trainkos ka sqaruar se kompania fituese ishte përgjegjëse për përzgjedhjen e nënkontraktorëve dhe se ndërmarrja nuk kishte mekanizëm juridik për të përcaktuar apo ndikuar në përzgjedhjen e tyre.
