Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka reaguar pas publikimit të një dokumenti nga deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, i cili thA se dëshmon se vagonë të kompanisë publike Trainkos janë dërguar në Serbi për riparim gjatë vitit 2024.
Rizvanolli ka pranuar se vagonët janë dërguar në Zrenjanin të Serbisë për riparim, por ka theksuar se një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në vitin 2017.
Sipas saj, vagonët janë dërguar për riparim në Zrenjanin për herë të parë në vitin 2017, menjëherë pasi ishin blerë. Ajo ka theksuar se procedura ishte nisur gjatë kohës së Qeverisë Mustafa, ndërsa përurimi i vagonëve të riparuar ishte bërë gjatë Qeverisë Haradinaj, nga ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Ajo ka ngritur edhe pyetjen nëse Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ishte e shqetësuar për këtë çështje në vitin 2017, kur ministri i saj, Pal Lekaj, kishte marrë pjesë në përurimin e vagonëve të riparuar në Serbi.
