Kosovë Lajme

Fitore Pacolli urdhëroi mbylljen e restorantit në Radoniq, por vendimi zyrtar dorëzohet vetëm të hënën

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, ka reaguar lidhur me reagimet se pronari i restorantit “Liqeni i Dukagjinit”, në afërsi të Liqenit të Radoniqit, nuk është njoftuar për vendimin për mbylljen e aktivitetit.

Zogiani ka bërë të ditur se Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka përgatitur procesverbalin për mbylljen e aktivitetit, i cili fillimisht i është dorëzuar KRU “Gjakova”, si pronare legjitime e pronës, transmeton lajmi.net.

Sipas tij, KRU “Gjakova” më pas ia ka përcjellë procesverbalin operatorit të restorantit, ndërsa vendimi zyrtar i Ministrisë pritet t’i dorëzohet biznesit gjatë ditës së hënë.

“Në lidhje me pretendimet e operatorit në Liqenin e Radoniqit, se nuk ka marrur asnjë njoftim për mbylljen e aktivitetit, duam të sqarojmë se procesverbali i Inspektoratit të MMPH i është dorëzuar pronarit legjitim të pronës, KRU “Gjakova”, e cila tashmë e ka përcjellë atë te biznesi, ndërsa vendimi zyrtar i Ministrisë dorëzohet ditën e hënë nga Inspektorati”, ka shkruar Zogiani.

Reagimi i tij vjen një ditë pasi ministrja në detyrë e MMPH-së, Fitore Pacolli, njoftoi se Inspektorati i Mjedisit kishte urdhëruar ndërprerjen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”.

Pacolli kishte deklaruar se objekti ndodhet brenda zonës së mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe se aktiviteti, sipas inspektoratit, ishte zhvilluar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e mjedisit.

“Ky aktivitet ka qenë në shkelje flagrante të Ligjit për Ujërat, Vendimit 09/127 të Qeverisë për caktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit dhe akteve të tjera nënligjore, duke rrezikuar drejtpërdrejt sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm”, kishte deklaruar Pacolli.

Çështja lidhet me mbrojtjen e zonës sanitare të Liqenit të Radoniqit, i cili shërben si burim i ujit të pijshëm, ndërsa institucionet kanë thënë se veprimtaria në këtë zonë duhet të jetë në përputhje me rregullat dhe kufizimet ligjore.