Analisti Nexhmedin Spahiu, i cili mbrëmë u vetëpropozua për President të vendit, tha se do të ishte “më i suksesshmi”.
Spahiu ka thënë se nëse bëhet president ai do e sigurojë njohjen nga Serbia dhe nga pesë vendet e BE-së.
“Unë e thash, premtimi i parë me marrë njohjen nga Serbia që është kruciale, njohjen nga 5 vendet e BE-së. Për dikë kjo mund të duket e pamundur. Për shkak të eksperiencës time, dijeve të mija, njohjeve që kam me liderët politikë të rajonit pa qenë president, pa qenë kryeministër, merre me mend me qenë president”, tha ai në një deklaratë.
Spahiu, zotimin për njohje nga Serbia e ka mbështetur te vizita që kishte realizuar në Beograd vitin e kaluar, kur ishte pritur nga ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq.
“Unë pa qenë president, kryeministër ose ministër, unë kam arrite që të jem i pranuar nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i vendit që nuk e ka njoft Kosovën, që është armiqësor ndaj Kosovës, këtë ka arritur vetëm Fadil Vokrri në fushën e vetë përkatëse, e ka arritur me futë Kosovën në UEFA dhe FIFA përndryshe, të kish vendos zoti me ia marr shpirtin Fadil Vokrrit nja 10 vjet përpara se ja ka marr, sot Kosova nuk ish kanë as në UEFA as në FIFA”, ka thënë Spahiu.
