Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit, sipas saj, janë shkelur.
“Është e qartë që Kushtetuta është shkelur, është shkelur aktgjykimi final i Gjykatës Kushtetuese, Rregullorja e Kuvendit dhe obligimi parësor i yni është që të konstituohet Kuvendi”, tha Deliu-Kodra.
Ajo theksoi se zgjedhja e presidentit është çështje tjetër dhe se nuk mund të flitet për marrëveshje politike pa u konstituuar Kuvendi dhe organet e tij.
“Albin Kurti e ka mundësinë që, pa 22 deputetët e PDK-së, ta zgjedhë presidentin, por nuk mund të flitet për marrëveshje politike pa u konstituuar Kuvendi dhe organet e tij”, u shpreh ajo.
Deliu-Kodra paralajmëroi se PDK do të vazhdojë aksionet e saj në ditët në vijim.
“Prandaj, ne do t’i vazhdojmë aksionet tona dhe do të jemi çdo mëngjes para Qeverisë”, përfundoi deputetja e PDK-së.
