Kosovë Lajme Politikë

Kurti dhe Abdixhiku shpresëdhënës rreth presidentit, pajtohen të kenë emra konkretë në takimin e ardhshëm

Të martën lideri i VV-së Albin Kurti e ai i LDK-së Lumir Abdixhiku, mbajtën takimin e radhës, i pari pasi LDK-ja tha se nuk do bashkëqeverisje, për të diskutuar për presidentin.


Takimi që zgjati pothuajse tre orë nuk nxori emra të përveçëm, por që sipas të dy liderëve në takim u diskutua për profilin e presidentit që duhet të ketë vendi.

Të dy ata në fund u pajtuan që takimet të vazhdojnë, ndërsa fillimisht u tha se do të diskutohet brenda partive për emra të përveçëm.

“Shqyrtuam e diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes së re, nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri, për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara. Është vendim tejet i rëndësishëm dhe është proces shumë i ndjeshëm. Andaj, edhe pas këtij takimi, kemi nevojë që të kthehemi tek subjektet tona përkatëse politike, ne te Lëvizja Vetëvendosje dhe delegacioni tjetër të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mënyrë që të zhvillojmë edhe konsultime të brendshme dhe të ritakohemi, ashtu që të merremi vesh”, tha Kurti pas takimit.

Të njëjtën qasje e pati edhe Abdixhiku, i cili tha se me emra të përveçëm do të dalin në takimin e radhës që do ta mbajnë me Kurtin.

“Pra, nuk duam një president të parëndësishëm, por një figurë e cila është e respektuar dhe ushtron me dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Jam i bindur se Kosova ka figura të tilla, por gjendja, çështja dhe tema janë përgjithësisht shumë sensitive dhe kërkuam një periudhë diskutimi të brendshëm brenda subjekteve tona dhe konsultative edhe me shoqërinë, secili në mënyrën e vet, para se të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm. Unë e di që fokusi i gjithë popullit të Kosovës është te emrat specifikë, sepse zgjedhja e presidentit është emër specifik, por për këtë a duhet ende kohë. E mira e këtij procesi është që gjërat janë shumë të qarta, pra po flasim për çështjen e presidentit dhe LDK-ja nuk kërkon asgjë. Në prapavijë kërkon vetëm stabilitet institucional, në mënyrë që Kosova të ketë mundësinë e qetësisë së kërkuar e të munguar tash e sa kohë”, tha ai.

Se kush do të jetë presidenti i 7-të i Republikës akoma nuk dihet, ndërsa vendi vazhdon të jetë i bllokuar, ku Kuvendi nuk është konstituuar e as nuk është zgjedhur qeveria e re.

Dy emra që të martën u përmendën si kandidatë të mundshëm ishin Ibrahim Berisha e Iljaz Ramajli, por që të dy këta thanë se nuk do të përfshihen në këtë proces.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti zgjidhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë.

Zgjedhja bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, apo me 80 vota nga 120 deputetët sa ka gjithsej Kuvendi i Kosovës.

Procesi i zgjedhjes së presidentit mund të organizohet deri në tri votime. Nëse as në rundin e tretë – kur kërkohen 61 vota nga të paktën 80 deputetë të pranishëm në sallë – asnjëri nga kandidatët nuk i merr votat e nevojshme, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.