Asnjë nga partitë politike nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, për një takim lidhur me krizën politike në vend.
Haxhiu kishte ftuar përfaqësuesit e partive politike për takim të martën në orën 09:00.
Ftesën e kishin refuzuar fillimisht PDK-ja dhe Aleanca, ndërsa tashmë edhe LDK-ja ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë për televizionin Dukagjini se partia e tij takimet politike i zhvillon me kryetarët e partive.
“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive, në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin. Në pikëpamjet tona, zonja Haxhiu është deputete e Kuvendit dhe, në këtë rrjedhë, ne mund të flasim vetëm me ata që janë përgjegjës për këtë punë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Me refuzimin e LDK-së, ftesa e Haxhiut nuk ka marrë përgjigje pozitive nga partitë kryesore politike.
