Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se zgjedhja e presidentit konsensual mbetet e mundshme, por ka paralajmëruar se formimi i institucioneve të reja pas tejkalimit të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit mund të shoqërohet me konteste kushtetuese.
Gashi, në KosovaPress, ka thënë se presidenti konsensual duhet të jetë figurë që mund të përfaqësojë të gjithë spektrin politik dhe të ketë integritet personal dhe profesional.
Sipas tij, pa këto kritere nuk do të ketë hapësirë për dakordim.
Për këtë çështje, deputeti i LDK-së shtoi se do të diskutohet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të qeverisë.
“Ka hapësirë edhe me u gjetë, po ka edhe hapësirë edhe me u mos gjetë. Po s’mundemi me e paragjyku. 60 ditë janë, prej momentit të konstituimit të Kuvendit janë 60 ditë me u marrë me atë temë. Dy muaj, dy herë në ditë me u taku, 120 takime mundemi me u bë… Nuk kemi vendos kritere, sepse po të flas unë diçka të tillë, vendosi kritere sot. Dhe kriteret, cila mund të jenë bllokuese. Por, në parim, me gjetur një person i cili ka integritet personal, ka integritet profesional, ka përvojë institucionale, ka përvojë shtetërore, mbrojtës i kushtetutshmërisë, përfaqësues i Kosovës brenda dhe jashtë. Ne kemi menduar që të tillë, të paktën pesë ose gjashtë, janë në grupin parlamentar të LDK-së. Zoti Kurti s’ka mendu. Po thotë ka të tjerë që janë më të mirë sesa 120 deputetë të Kuvendit të Republikës, ose 100 deputetët shqiptarë të Kuvendit të Republikës, ka të tjerë që janë hala më të mirë, a du me i marrë qata. Le të tregojë kush janë ata dhe në rregull jemi”, tha ai.Megjithatë, ai ka ngritur pikëpyetje mbi vetë konstituimin e Kuvendit, pas skadimit të afatit 30-ditor.
