Botë Lajme Shëndetësi

Alarm nga OKB: Ebola po vret një person çdo 30 minuta

Epidemia e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos po merr jetën e një personi çdo 30 minuta, njoftoi zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të “zgjohet” dhe të “mobilizohet”.

”Ebola po fiton në Republikën Demokratike të Kongos. Nuk mund të lejojmë që virusi të mbingarkojë reagimin tonë “, tha Tom Fletcher në një deklaratë pas një takimi urgjent me krerët e agjencive të tjera të organizatës ndërkombëtare.

Republika Demokratike e Kongos shpalli epideminë e 17-të të Ebolës në historinë e saj më 15 maj, disa javë me vonesë, vlerësojnë ekspertët, përpara se Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, të shpallte një emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar dy ditë më vonë – niveli i dytë më i lartë i alarmit.

Reagimi ndaj epidemisë nuk ka lejuar ende ndalimin e përhapjes së virusit, pasi shërbimet dhe strukturat shëndetësore të vendit, një nga më të varfrit në botë, përballen, ndër të tjera, me mungesë mjetesh dhe burimesh.

Epidemia po “përhapet më shpejt se çdo epidemi tjetër e regjistruar ndonjëherë” dhe “po vret një person çdo 30 minuta”, këmbënguli Fletcher.

Epidemia më vdekjeprurëse e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, një vend i gjerë në Afrikën qendrore, mori jetën e gati 2,300 pacientëve nga një total prej 3,500 rastesh të regjistruara midis viteve 2018 dhe 2020 .

Ky i fundit ka marrë jetën e 2,128 personave nga një total prej 4,556 rastesh të konfirmuara në laborator vetëm tre muaj pasi u shpall, sipas bilancit më të fundit nga autoritetet e RDK-së.

“Sot dërgova në vijën e parë edhe 20 anëtarë të stafit tonë. Por kjo është një thirrje zgjimi. Na duhet shpejtësi, shkallëzim dhe solidaritet” për të parandaluar rrezikun që “virusi të na përparojë edhe më shumë ”, tha Fletcher në deklaratën e tij.

Ai gjithashtu vuri në dukje se kishte ndarë 30.5 milionë dollarë shtesë nga Fondi Qendror i Rezervës për Reagim ndaj Emergjencave (CERF) për të mbështetur reagimin shëndetësor.

“Kjo shumë është përveç 24 milionë dollarëve që tashmë ishin ndarë për Republikën Demokratike të Kongos dhe katër vendet fqinje” për të luftuar epideminë, shpjegoi ai.

Nga 518 milionë dollarë të nevojshme për të financuar planin e përbashkët të përgatitjes dhe reagimit të paraqitur në fillim të qershorit nga agjencia shëndetësore e Bashkimit Afrikan, vetëm 264 milionë dollarë janë siguruar deri më tani, paralajmëroi OBSH të mërkurën.

Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim për llojin Budibugio të virusit, i cili është përgjegjës për epideminë aktuale. Studimet klinike janë duke u zhvilluar.

Ebola ka vrarë të paktën 15,000 njerëz në Afrikë gjatë 50 viteve të fundit.