Kosovë Lajme

Aksioni i Rinisë së PDK’së: Tre shkelësit e Kushtetutës – Haxhiu, Kurti e Dehari

Fotografitë e “tre shkelësve të Kushtetutës”, u.d. presidentes Albulena Haxhiu, kryeministrit në detyrë Albin Kurti, si dhe kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari, janë vendosur në dyert e Kuvendit nga të rinjtë e PDK’së përmes një aksioni simbolik.

Ata aty kërkuan vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa për tre bashkëpartiakët thanë se shkelën Kushtetutën.

Kryetarja e RDK-së, Arbnore Salihu, tha se përmes këtij aksioni synojnë të rikujtojnë obligimet që burojnë nga Kushtetuta, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit.

“Në dyert e Kuvendit kemi vendosur tre shkelësit e Kushtetutës. Tre kryesorët. Për me i tregu tri gjëra: çka thotë Kushtetuta, çka ka thënë Gjykata Kushtetuese në vitin 2025 dhe çka thotë Rregullorja e Kuvendit. Nuk ka nevojë me shpik rregulla të reja. E kur rregullat janë shumë të qarta dhe afatet janë të ditura”, tha ajo.

Salihu ka thënë se Kushtetuta përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit, ndërsa Rregullorja përcakton afatin për vazhdimin e seancës konstituive.

“Kushtetuta parasheh 30 ditë për konstituimin e Kuvendit nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve. Gjykata Kushtetuese e ka sqaruar këtë afat vitin e kaluar, ndërsa Rregullorja thotë se një ndërprerje gjatë seancës konstituive nuk mund të zgjasë më shumë se 48 orë”, tha ajo.

Ajo u ka bërë thirrje Vetëvendosjes dhe deputetëve që të mundësojnë vazhdimin e seancës konstituive.

“Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, që po e shkelin Kushtetutën e po i bllokojnë institucionet, ua kujtojmë që asnjë parti, asnjë deputet dhe asnjë shumicë nuk është mbi Kushtetutën. Të rinjtë e Kosovës nuk mund t’i pranojnë këto lloj shkelje, të cilat po bëhen praktikë e pastaj po na shiten si normalitet. Numrat i keni, thirreni seancën, konstituojeni Kuvendin”, tha ajo.