Një zjarr i madh që shpërtheu mbrëmë në Lokva Rogoznica të Kroacisë është përhapur me shpejtësi drejt Omishit, duke vënë në rrezik banesa dhe zona të banuara.
Zjarrfikësit raportohet se po luftojnë me flakët në kushte të vështira, të rënduara nga erërat e forta.
Pamjet nga terreni tregojnë përmasat e mëdha të zjarrit. Flakët kanë përfshirë pjesë të rrugës nga Ruskameni drejt Omishit, ndërsa janë raportuar automjete të djegura, shtëpi dhe varka të prekura nga zjarri.
Sipas informacioneve ende të pakonfirmuara, rreth dhjetë persona kanë pësuar lëndime, ndërsa dëmet materiale janë të mëdha.
Disa shtëpi janë djegur, por autoritetet ende nuk kanë një bilanc të saktë të dëmeve, shkruan index.hr.
Për shkak të rrezikut, banorë nga Lokva Rogoznica janë evakuuar dhe janë dërguar në një qendër pritjeje të ngritur në palestrën sportive të Omishit.
Aty ndodhen aktualisht rreth 1000 persona, të cilëve u janë siguruar shtretër, ushqim dhe ujë.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të largohen nga zonat e rrezikuara dhe të ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë betejën me flakët. /Telegrafi/
