Një mjek është sulmuar fizikisht dhe është kanosur gjatë ushtrimit të detyrës në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Pozharan, në kuadër të QKMF-së në Viti.
Lajmin e ka bërë të ditur Komuna e Vitisë, e cila përmes një reagimi publik ka dënuar ashpër rastin dhe ka shprehur shqetësim për sigurinë e punonjësve shëndetësorë.
Sipas komunës, sulmi ka ndodhur ndaj specialistit të mjekësisë familjare, dr. A.Ç., gjatë kujdestarisë së natës, në vendin e tij të punës.
“Ky është një akt i papranueshëm dhe një cenim serioz i sigurisë, dinjitetit dhe integritetit të punonjësve shëndetësorë”, thuhet në reagimin e institucioneve komunale.
“Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë nuk është vetëm sulm ndaj individit, por është sulm ndaj institucioneve, shërbimit shëndetësor dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të marrë shërbime shëndetësore në një ambient të sigurt”, thuhet ndër të tjera në reagim.
