Fehim Sali, është arrestuar sot nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit, në një operacion të përbashkët të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.
Sali dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me Agjencinë serbe të Inteligjencës (BIA) dhe se ka mbajtur kontakte me zyrtarin e saj, Zhelimir Matoviq. Ai në foto të publikuar nga Indeksonline, shihet bashkë me ministrin e punëve tq brendshme të Serbisë, Ivica Dacic.
Ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë zyrës së presidentes.
Por, sipas një hulumtim emri i tij rezulton të ketë një lidhshmëri me ish-presidenten, Vjosa Osmanin.
Feim Sali u emërua anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete më 8 nëntor 2022, nga presidentja e atëhershme Vjosa Osmani.
Në listën zyrtare të emërimit ai figuron si përfaqësues i komunitetit goran.
Emërimi ishte për mandat dyvjeçar, pra afërsisht nga nëntori 2022 deri në nëntor 2024.
Raporti zyrtar i KKK-së për vitin 2022 e përmend Fehim Salin si anëtar dhe tregon se ai mori pjesë edhe në aktivitetet e Këshillit gjatë atij viti.
Faqja aktuale e KKK-së ka tashmë një seksion për anëtarët 2024–2026, ndërsa raportimet e sotme konfirmojnë se Sali nuk është pjesë e Këshillit aktual.


Po ashtu, dyshohet se merret me ndërmjetësimin për prona dhe dokumente serbe, ndërsa dyshohet se është angazhuar në grumbullimin e votave për mbështetësit e Aleksandar Vuçiqit.
Ndryshe Sali i arrestuar për kryerjen e veprës penale “Spiunazh”, F. S., me aktvendim të Prokurorisë Speciale, është ndaluar për 48 orë.
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.
Gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar këto prova materiale:
para të gatshme në vlerë prej 39 mijë e 500 eurosh;
para të gatshme në vlerë prej 500 dinarësh;
katër (4) telefona celularë;
dokumente të ndryshme relevante për rastin.
Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale, Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë mbeten të angazhuara për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore në lidhje me rastin.
