Edhe një herë, ngërçi politik në Kosovë e ktheu vëmendjen te Gjykata Kushtetuese. Afati 30-ditor për konstituimin e organit ligjvënës kaloi, ndërsa partitë ende nuk duken të jenë afër një marrëveshjeje. Por, a mundet Kushtetuesja ta përcaktojë rrugën e daljes nga kjo situatë – apo zgjidhja mbetet në duart e deputetëve?
Sa herë që bllokohej situata rreth krijimit të institucioneve të Kosovës gjatë vitit 2025, adresa për rrugëdalje ishte Gjykata Kushtetuese.
Për vetëm tetë muaj, kjo gjykatë nxori katër aktgjykime rreth konstituimit të Kuvendit të Kosovës, me sqarime edhe për mënyrën se si duhej të zhvillohej seanca me vetëm katër pika të rendit të ditës.
Një situatë e ngjashme po përsëritet edhe sivjet, por a mund të japë zgjidhje Kushtetuesja edhe këtë herë?
Afati për përmbylljen e konstituimit përfundoi më 7 gusht, bazuar në aktgjykimin e Kushtetueses të 26 qershorit 2025.
Kjo gjykatë nuk iu përgjigj Radios Evropa e Lirë nëse e ka ende në shqyrtim këtë rast, apo nëse ai është mbyllur.
Megjithatë, rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese parasheh që shqyrtimi i një kërkese mund të vazhdojë, pavarësisht tërheqjes nga palët, “kur këtë e kërkon interesi publik dhe/ose respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë”.
A mund ta zgjidhë situatën një aktgjykim për kërkesën e Osmanit?
Flamur Hyseni, profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret që një sqarim i radhës nga Gjykata do ta zgjidhte ngërçin – nëse mungon vullneti politik.
Sipas tij, bllokadat politike nuk duhet të zgjidhen duke e zhvendosur përgjegjësinë nga 120 deputetët te Gjykata Kushtetuese.
Ndërkaq, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese nuk ka mundësi të japë një zgjidhje, përveçse t’ua rikujtojë deputetëve rolin dhe pozitën që mbajnë.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund as të caktojë obligime, apo të marrë vendime për ta shpërndarë Kuvendin nëse nuk është konstituuar brenda 30 ditëve, nëse kjo nuk parashihet në Kushtetutë”, pohon Miftaraj.
Edhe ai vlerëson se Gjykata nuk mund të shkruajë një normë të re kushtetuese për ta zgjidhur situatën aktuale.
“Gjykata Kushtetuese mund ta interpretojë Kushtetutën, por nuk mund të krijojë përmes interpretimit një pasojë kushtetuese që teksti nuk e përmban”, thotë Hyseni.
Miftaraj thotë se nuk mund të pritet një vendim arbitrar që u tregon deputetëve si të veprojnë, pasi, sipas tij, Kushtetuesja nuk mund të tejkalojë kompetencat e veta.
“Vetëm nëse vendos të hartojë një nen të ri në Kushtetutën e Kosovës, përmes aktgjykimit, por që do të dilte në kundërshtim me parimet e demokracisë parlamentare”, shprehet ai.
Çfarë thonë partitë për 30-ditëshin?
LVV-ja, parti fituese e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit – që u shpallën pasi partitë nuk arritën konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit – ka kërkuar kohë për konsultime me subjektet tjera, veçanërisht për çështjen e kreut të shtetit.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha të mërkurën se, nga këndvështrimi i LVV-së, deputetët kanë kohë për konstituimin e Kuvendit deri më 6 shtator, duke llogaritur 30-ditëshin nga nisja e seancës më 6 gusht.
Njësoj, edhe Aleanca ka bërë thirrje për vazhdimin e seancës konstituive, duke fajësuar LVV-në për bllokim.
Me gjithë kritikat për shkelje kushtetuese nga kryesuesi i seancës konstituive, asnjëra nga partitë nuk ka çuar kërkesë për këtë çështje në Gjykatë.
