Kosovë Lajme Politikë

‘‘Organizatë banditeske’’, Tahiri për VV-në: Kur ti s’e respekton Kushtetutën, pse një biznes mos me shkel ligjin

Deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë se Kuvendi i Kosovës po bllokohet dhe se, sipas tij, po cenohet rendi kushtetues i vendit.

“Është një ditë që publiku dhe qytetarët janë duke parë që dyert e Kuvendit po mbyllen dhe Kuvendi po bllokohet. E patë edhe ju qasjen dhe mundësinë për të qenë këtu për t’i informuar qytetarët. Me cenimin e Kushtetutës, me tendencën e organizatën banditeske dhe përmes pushtetit po cenohet rendi kushtetues.Ne jemi bashkërisht me Aleancën për ta bërë punën tonë, me qëllimin që ta mbrojmë kushtetutshmërinë dhe ta funksionalizojmë Kuvendin.Dje i jemi drejtuar me shkresë zyrtare kryesuesit, në mënyrë që të vazhdojë seanca dhe të funksionalizohet Kuvendi. Përkundër kërkesës sonë, nuk ka gjetur mbështetje dhe nuk është thirrur vazhdimi i seancës”, ka thënë ai.

Ai, ka thënë se nëse shterren të gjitha mudnësitë do të avzhdojnë me hapa të tjerë.

“Është më shumë se shqetësuese dhe sigurisht që do të vazhdojmë me qëndrimin tonë. Sigurisht që, nëse shterren mundësitë, do të jenë hapat tanë të tjerë për ta mbrojtur shtetin. E kemi amanet me e ruajt dhe me e mbrojt.

Që 18 muaj, prej kur Albin Kurti ka fuqinë më të madhe politike në këtë vend, nuk ka stabilitet e normalitet. Rrënohet tërësisht rendi kushtetues në vendin tonë. As nuk kemi qeveri, president, Kuvend. Shtrohet pyetja se çka është duke funksionuar.

Po ju kërkojmë që të ngrini zërin dhe të alarmoni kundër këtij njeriu, i cili është duke tentuar me veprime të tjera ta zhbëjë shtetin e Kosovës”, ka thënë Tahiri.