Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga gjykata e këtij qyteti caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve për veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
Ngjarja ka ndodhur më 10 gusht, rreth orës 00:15, në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të kafiterive “Dritare” dhe “0290”, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes pronarëve të lokaleve.
I pandehuri O.A. dyshohet se, pas fillimit të përleshjes, ka sulmuar me një kaçavidë të dëmtuarin Sh.A., duke e goditur tri herë në pjesën e qafës. Për shkak të lëndimeve, Sh.A. fillimisht ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas është trajtuar edhe në QKUK në Prishtinë.
Prokuroria dyshon gjithashtu se O.A. ka sulmuar me të njëjtin mjet A.N., duke e goditur në krahun e majtë dhe në pjesën e majtë të kokës. Për këtë rast, ndaj tij rëndon edhe dyshimi për veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor”.
Ndërkaq, D.A., A.A. dhe A.N. dyshohen se janë përfshirë në përleshje fizike dhe kanë marrë pjesë në rrahje, e cila, sipas Prokurorisë, ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor.
“Kurse, për të pandehurit D.A., A.A.,dhe A.N., ekziston dyshimi i bazuar se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, të pandehurit marrin pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor për të dëmtuarin Sh.A., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme–, të pandehurit involvohen në përleshje, duke sulmuar fizikisht njërin – tjetrin, me të cilën kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”, thotë prokuroria.
Të katër të pandehurit, që nga 11 gushti, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, me vendim të Prokurorit të Shtetit.
