Kosovë Lajme Politikë

Rama – VV’së: Kapuni për dore, merreni Kallxo.com dhe Koha.net të vinë në Drejtorinë e Kadastrit dhe Urbanizmit t’i shohin lëndët

Përparim Rama, Kryretar i Prishtinës ka reaguar pas disa mesazheve të pretenduara si autentike ku akuzohet për korrupsion nga Vetëvendosje.

Rama e ftoi Vetëvendosjen që “dorë për dore me Kallxo.com dhe Koha.net” të shkojnë në Drejtorinë e Kadastrit dhe Urbanizmit dhe t’i shikojnë lëndët.

Postimi i plotë:

“Lule Gjelat” e paskan nis ditën me atë që e bëjnë më së miri me SHPIF!

Meqë shtetin e sollët në pikën zero dhe krejt luftën politike e degradut në falsifikime, fabrikime e gjuhë rrugaçësh, për hir të opinionit publik po i sqaroj dy gjëra.

E para, kam mendu që secili njeri me inteligjencë mesatare e kupton që ato mesazhe të ‘snapchat’ janë të fabrikume. Por, meqë paska nevojë me u thanë edhe publikisht, po ju them: janë të pavërteta, të fabrikuara dhe, për më tepër, të gërditshme!

Sinqerisht, ndjej keqardhje për Vetëvendosjen që ka mbet me bo politikë me Snapchat, me linçime në Facebook e me lajme të krijume prej inteligjencës artificiale. Kaq sa ju përket juve dhe politikës!

E dyta, lëndët e legalizimit për të cilat paskeni shpif janë krejt aty!

Ju bëj ftesë publike, krejt grupit të asamblistëve të VV-së, merreni me vete edhe KALLXO.com e KOHA.net, me të cilët po ju bashkon tendenca për me e diskreditu shtetin, kapuni për dore dhe shkoni në Drejtorinë e Kadastrit dhe në Drejtorinë e Urbanizmit.

Shfletojini krejt lëndët. Faqe për faqe!

Pastaj dilni para të njëjtit opinion publik dhe kallxoni drejt.

E kur faktet t’jua rrëzojnë fabrikimin, ju pres me dalë po kaq zëshëm edhe me kërku falje. Si guruja juaj nga Shqipëria që dje shpërndau lajme false për Time Kadrijajn dhe pastaj kërkoi falje!