Kosovë Lajme

Pritje deri në një orë në kufi, Dheu i Bardhë mbetet pika më e ngarkuar

Mërgimtarët dhe qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë përmes pikëkalimeve kufitare të Kosovës po përballen me pritje të ndryshme, varësisht nga pika kufitare që zgjedhin.

Sipas të dhënave më të fundit të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pritjet më të gjata janë regjistruar në dalje te pika kufitare Dheu i Bardhë, ku qytetarët po presin deri në 60 minuta.

Pritje më të gjata janë shënuar edhe në Merdarë, ku në dalje nevojiten deri në 40 minuta. Ndërkohë, në Han të Elezit pritjet arrijnë deri në 10 minuta, si në hyrje ashtu edhe në dalje.

Në pjesën më të madhe të pikëkalimeve të tjera, përfshirë Bërnjakun, Jarinjën, Kullën, Vërmicën, Qafën e Morinës, Stançiqin, Mutivodën dhe Globoqicën, qarkullimi zhvillohet pa vonesa të mëdha, me pritje që variojnë nga 3 deri në 5 minuta.

Ndërkaq, në Muçibabë pritjet janë rreth 5 minuta në të dy drejtimet, ndërsa në Qafën e Prushit ato variojnë nga 1 deri në 3 minuta në hyrje dhe nga 1 deri në 2 minuta në dalje.