Kosovë Lajme Politikë

Kurti e Abdixhiku takohen sërish sot

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë sot takimin e radhës, ka mësuar RTK nga burimet e saj.

Takimi është planifikuar të mbahet në orën 13:30, ndërsa në fokus të diskutimeve do të jetë arritja e një marrëveshje politike, e cila do të mundësonte vazhdimin e procesit të konstituimit të institucioneve të reja.

Në takimin e fundit ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut, palët kanë deklaruar se nuk ishte arritur ndonjë marrëveshje politike. Megjithatë, ishte theksuar rëndësia e komunikimit ndërmjet subjekteve politike për tejkalimin e situatës aktuale.

Takimi i sotëm vjen në kohën kur afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e konstituimit të Kuvendit është në fokus, teksa kryetari i PDK-së, Bedri Hamza e ka refuzuar ftesën për takim me Kurtin, duke konfirmuar se partia e tij do të qëndrojë në opozitë.