Dy persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pasi dyshohen për përfshirje në një rast penal që lidhet me lëndim të rëndë trupor, armëmbajtje pa leje dhe kanosje.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se të dyshuarit A.D. dhe L.D. lidhen me një ngjarje të ndodhur më 23 mars 2026 në Prishtinë, ku viktimë ishte një zyrtar i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Sipas Prokurorisë, gjatë veprimeve hetimore janë siguruar prova që kanë ngritur dyshimin e bazuar ndaj të dyshuarve, ndërsa po vazhdojnë punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.
“Në bazë të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar, rezulton se rasti ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur më datë 23 mars 2026 në Prishtinë, ku i dëmtuar është një zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), për të cilën Prokuroria ka zhvilluar veprime intensive hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Institucioni i akuzës ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë deri në përfundimin e procedurave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
